Shqipëri-Mal i Zi, nisin projektet e bashkëpunimit

ahmetaj1

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mes Shqipërisë, Serbisë dhe Mali të Zi  kanë nisur bashkëpunimet për të përcaktuar një listë me projekte në infrastrukturë, energjitikë etj . Lista mbi të cilën po punohet synohet të jetë gati për samitin për Ballkanin që do të mbahet në gusht në Vjenë.
Pas takimit me  zëvendës kryeministren serbe Zorana Milajloviç, ministri i Zhvillimit Ekonomik,  Arben Ahmetaj nisi bisedimet këtë të hënë në Tiranë me homologun malazez, Vladimir Kavariç.

“Dy vendet tona, me konsumatorë 2 apo 3 milionë, të fragmentuara e kanë të vështirë t’ia dalin. Por me një treg të hapur qoftë për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave apo kapitaleve, ne mund të kemi një ofertë interesante për investitorë strategjikë”, deklaroi Ahmetaj në konferencën e përbashkët për shtyp.

Ministri malazez listoi disa prej projekteve më të rëndësishme, si autostrada Adriatiko-Joniane, lidhjet hekurudhore mes vendeve dhe projektin e gazfikimit Tap.

Më tej, Ahmetaj shtoi se pritet të ketë bashkëpunime edhe me  shtetet e tjera si Maqedonia, Kosova apo Bosnja që të jenë pjesë e projekteve rajonale.

Ilda Xhafa