Panariti: Fermerët, skemë e re subvencionesh

panMinistri i Bujqësisë, Edmond Panariti, bën me dije se qeveria do të përdorë një skeme të re mbështetje për fermerët, e cila bazohet te subvencionet me para në dorë për produktin e gatshëm.

“Fermeri, kultivuesi merr paratë e mundit dhe djersës së tij, në momentin kur dorëzon produktin  në pikat e tij të grumbullimit. E mira kësaj skeme është se ajo, në njëfarë mënyre, lidh më mirë prodhimin me argo-përpunimin dhe me tregun, në raport me skemën e parë. Vizioni im është që ne duhet të mbështesim rezultatin dhe jo thjesht përpjekjen, për arsye sepse mekanizmi i mbështetjes së përpjekjes, jo gjithmonë është rezultativ”, tha Panariti.

Bujqësia jep rreth 20 për qind të Prodhimit Kombëtar, por merr mbrapsht nga buxheti vetëm 0.5 për qind të PBB-së. Qeveria thotë se pavarësisht krizës së financave do ta rrisë mbështetjen për sektorin që këtë vit dhe do prezantojë një sërë masash për të rritur sipërfaqen e fermave.

Ndër të tjera ministri Panariti theksoi se; “Jemi të përqendruar që të fillojmë me shpërndarjen e certifikatave të pronësisë, për të bërë të mundurhapjen e tregut të tokës, që do të çojë në zgjerimin e sipërfaqes së kultivuar, e cila për të qenë interesante, të jetë rentabël nga pikëpamja ekonomike, duhet të paktën të kapërcejë 15 hektarë, pra me stimulin e mekanizmit të shitblerjes ne do të aplikojmë edhe taksën mbi tokën, gjë që do të krijojë një fond që do të vihet në dispozicion të ish-pronarëve për të vënë në lëvizje kompensimin financiar të tyre”.

Sipas shifrave zyrtare, sipërfaqja mesatare e fermave në Shqipëri është rreth 1.2 hektarë nga 27 hektarë që është mesatarja e BE-së, gjithashtu si prioriteti i dytë në bujqësië do të jenë dhe investimet në rrjetin e ujitjes.

/Muzafere Dema/